E hënë, 04 Maj 2026
Lajme

Krah Vjosa Osmanit, Fahrije Hoti e konfirmon futjen në politikë: S’do t’ju zhgënjej!

Capture 9

Pas njoftimit të ish-Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se aktivistja dhe sipërmarrësja nga Krusha e Madhe Fahrije Hoti do t’i bashkohet politikës dhe do të kandidojë për deputete në zgjedhjet e 7 qershorit, ka ardhur edhe reagimi i saj i parë publik.

Nëpërmjet Facebook, Hoti ka konfirmuar nisjen e një rruge të re politike, duke theksuar se kjo është një vazhdim i angazhimit të saj jetësor për komunitetin dhe gratë.

“Sot nis një rrugëtim të ri, krah për krah me Presidenten Vjosa Osmani,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se vjen nga Krusha, një vend që sipas saj përfaqëson forcën dhe qëndresën e grave që kanë humbur gjithçka, por jo njëra-tjetrën.

Ajo ka kujtuar historinë e saj personale dhe kolektive.

“Ngritëm duart, ngritëm tokën, ngritëm shtëpitë. Mësova atje se asnjë grua nuk është e vetme kur një tjetër i qëndron pranë.”

Hoti ka theksuar se motivi i saj për hyrjen në politikë lidhet me përfaqësimin e grave, fermerëve, të rinjve dhe familjeve që kërkojnë drejtësi dhe jo premtime boshe.

“Po e bëj këtë për gruan që ngrihet. Për fermerin që e di vlerën e çdo kokrre. Për të riun që do të ndërtojë jetën e tij në Kosovë,” ka thënë ajo.

Duke e përshkruar politikën si vazhdim të punës së saj të përditshme, Hoti është shprehur se për të ajo nuk është karrierë, por përgjegjësi.

“Politika për mua nuk është karrierë, është punë, si puna që kam bërë gjithë jetën.”

The post Krah Vjosa Osmanit, Fahrije Hoti e konfirmon futjen në politikë: S’do t’ju zhgënjej! appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip