Rita Ora ka zgjedhur ta anashkalojë këtë vit Met Gala-n, ndonëse në të kaluarën ka qenë një nga pjesëmarrëset më të rregullta, duke marrë pjesë 10 herë në këtë event që mbahet çdo vit të hënën e parë të majit.
Këngëtarja 35-vjeçare, në vend se të shfaqej në tapetin e kuq, ka publikuar në Instagram Story një përmbledhje fotosh të fundit, ku shfaqet me disa veshje plazhi (bikini), duke vënë në pah linjat e saj trupore, shkruan DailyMail.
Mes imazheve të shpërndara ishte edhe një fotografi me bikini jeshile metalike, të kombinuara me një kapelë me kuadrate, si dhe një tjetër foto në ambient banjoje, ku Rita shihet me bikini të zeza prej materiali të thurur, me pjesën e sipërme në stil “bandeau”.
Në postimin e saj është përfshirë edhe një foto e bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi, i fotografuar nga mbrapa teksa ecën përpara saj.
Sipas raportimit, Rita kishte marrë pjesë për herë të fundit në Met Gala në vitin 2024, që ishte paraqitja e saj e 10-të në këtë event.
Ajo mungoi edhe në vitin 2025, ndërsa edhe këtë vit vendosi të mos jetë e pranishme, gjë që u vu re nga fansat, duke qenë se ajo njihej si një nga mbështetëset e rregullta të mbrëmjes.
Mungesa e saj vjen në një kohë kur Met Gala është përballur me kritika dhe thirrje për bojkot.
Sipas DailyMail, zemërimi është rritur sidomos për shkak të përfshirjes së miliarderit të Amazon, Jeff Bezos, dhe bashkëshortes së tij Lauren Sanchez, të cilët thuhet se kanë financuar një pjesë të madhe të eventit.
Aktivistët kanë organizuar edhe veprime proteste pranë muzeut, duke synuar të tërheqin vëmendjen ndaj trajtimit të punëtorëve të Amazon.
Në rrjete sociale, një pjesë e publikut ka kritikuar fort edicionin e këtij viti, duke e cilësuar si një nga më të dobëtit, si për listën e të ftuarve ashtu edhe për veshjet në tapetin e kuq. /Telegrafi/
