Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë, ku është takuar me familjarë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
E shoqëruar nga deputetja Arjeta Fejza, Haxhiu ka dëgjuar nga afër shqetësimet dhe kërkesat e familjeve që ende nuk kanë informacion për më të dashurit e tyre.
“Në Komunën e Mitrovicës janë ende 104 persona të zhdukur me dhunë, për fatin e të cilëve familjet nuk kanë asnjë informacion. Kjo është plagë e rëndë për familjet, për Mitrovicën dhe për gjithë Republikën e Kosovës”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka nënvizuar se institucionet e Kosovës kanë detyrim të vazhdojnë angazhimin për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, duke theksuar se sfida kryesore mbetet mungesa e bashkëpunimit nga Serbia.
“Problemi kryesor vazhdon të jetë Serbia, e cila nuk po jep informacionet e nevojshme për fatin e personave të zhdukur me dhunë. Kërkesat e familjeve dhe të nënave që ende presin përgjigje do t’i adresojmë tek institucionet përgjegjëse. Kjo çështje duhet të mbetet në qendër të punës institucionale”, është shprehur ajo.
Gjatë vizitës, Haxhiu ka falënderuar Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë për angazhimin shumëvjeçar në kërkimin e së vërtetës.
“Kjo është vizita ime e parë në këtë shoqatë dhe dua t’i falënderoj për punën e madhe që kanë bërë ndër vite. Për shumë kohë, një pjesë të barrës që duhej ta mbanin institucionet pas luftës e kanë mbajtur shoqatat dhe organizatat e familjarëve”, ka thënë ajo.
U.D. Presidentja ka përmendur edhe hapat institucionalë për trajtimin e krimeve të luftës dhe drejtësinë tranzicionale, duke theksuar se drejtësia mbetet kërkesë e vazhdueshme për familjarët.
“Për familjarët e viktimave të luftës dhe për familjet e personave të zhdukur me dhunë, drejtësia mbetet kërkesë e përhershme. Janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, si gjykimi në mungesë, themelimi i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës dhe miratimi i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale”, ka deklaruar Haxhiu. /Telegrafi/
