E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Dyshohet për ngacmim e detyrim, ish-këshilltarit të Kurtit i ndalohet që t’i afrohet hoxhës Fetahi dhe të dëmtuarit tjetër

Foto Horizontal2 860x484 2

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar Durim Berishës-  ish-këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurti masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar- në këtë rast hoxhës Sami Fetahi dhe të dëmtuarit tjetër- Tefik Fetahi. Berisha dyshohet për veprat penale “Ngacmim” dhe “Detyrim”.

Sipas vendimit, kjo masë do të zgjasë deri më 31 maj 2026, dhe se obligohet Berisha që në largësinë prej 100 metra të mos iu afrohet të dëmtuarve Sami Fetahi dhe Tefik Fetahi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, e njëjta do të zëvendësohet me paraburgim. Kurse, Obligohet Stacioni Policor Veriu që ta mbikëqyrë respektimin e kësaj mase dhe ta njoftojë gjykatën lidhur me zbatimin e saj.

“Nëse personat e mbrojtur me këtë masë qëllimisht cenojnë distancën të cilën të pandehurit detyrohen ta respektojnë, gjykata mund ta dënojë personin e mbrojtur me gjobë siç parashihet në nenin 443 të këtij Kodi”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se i dyshuari Durim Berisha është ndaluar më 2 maj 2026 nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ngacmimi” dhe për “Detyrim”.

Prokurori Paulin Pashku kishte kërkuar caktimin e masës se ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar dhe se edhe në seancë dëgjimore qëndroi pranë kësaj kërkese.

Prokurori kishte arsyetuar se është plotësuar dyshimi i bazuar si kusht për caktimin e kësaj mase, me arsyetimin se në bazë të deklarimit të palës së dëmtuar dhe përmbajtjes së sms, ka rezultuar se i pandehuri në vazhdimësi iu ka dërguar të dëmtuarve mesazhe, e që kjo vërtetohet me shikimin e përmbajtjes së atyre mesazheve.

Në vendim thuhet se edhe në deklarimin në Polici, i pandehuri nuk e ka mohuar faktin se ka dërguar sms dhe as kontaktet me tani të dëmtuarit, me të cilët ka thënë se është takuar 2-3 ditët e fundit të marsit 2026. Ka pohuar se ka kontaktuar Suhejb Fathain. Ndërsa, veprimet e tij, thuhet se i arsyetoi duke thënë se ka dashur t’i sqaronte problemet pronësore me të dëmtuarit.

Më tej, thuhet se i pandehuri e ka pranuar se kishte planifikuar të takohej me Tefik Fetahin, andaj marrë parasysh mesazhin e dërguar, formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat po hetohet.

Sipas vendimit, i pandehuri është edhe dhëndër i të dëmtuarve, dhe se prokurori ka vlerësuar që caktimi i kësaj mase është në shërbim të parandalimit të të pandehurit që të fshehë, agjësojë apo ndryshojë provat e rastit, dhe parandalimi i ndikimit tek dëshmitarët apo tek të dëmtuarit, sidomos bazuar në përmbajtjen e sms-ve, ku i pandehuri në vazhdimësi i kanosë të dëmtuarit se do t’iu shkaktojë ndonjë të keqe.

Edhe rrethanat, motivet dhe ambienti në të cilin dyshohet se janë kryer veprat penale, Prokuroria ka arsyetuar se tregojnë se raportet mes të pandehurit dhe të dëmtuarve janë të acaruara.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se i pandehuri Berisha nuk e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë, duke premtuar se nuk do të kryejë kurrfarë vepre penale. Me kërkesën e Prokurorisë u pajtua edhe mbrojtësi i Berishës, avokati Ngadhnjim Makolli.

Andaj, Gjykata pas analizimit të shkresave të lëndës, deklarimit të palëve, gjeti se është përmbushur kushti për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Aty thuhet se në rast se i pandehuri gjendet në liri të plotë, mund të ndikojë në të dëmtuarit- të cilët i ka miq dhe ende nuk janë dëgjuar në këtë procedurë.

Në rastin në fjalë, Gjykata theksoi se është cenuar dinjiteti i të dëmtuarve. Aty thuhet se të dëmtuarve iu dërguan mesazhe me përmbajtjen si: “Insani nuk t’merr seriozisht deri t’ja qitsh sytë duq. Masandej, o kuku çka ndodhi”, “Mulla s**i”, “imami që nuk len femër pa ngacmu”, “Zalloga i braktis gruan dhe fëmijët ndërsa hutbe të mban ders për trajtimin e gruas me respekt, QR sa plehu është sot imam”, “Gabimi më fatal është nënvlerësosh njeriun që ti vetë e shtyve deri në pikën kur pa mëshirë nuk të kursen më, kështu ke nënshkruar fundin tënd”, “Së shpejti në media, lajmi për imamin nga Prishtina që fëmijëve të tij nuk ua siguron ushqimin“, e të tjera.

Me këto veprime, thuhet se i pandehuri tek të dëmtuarit ka shkaktuar shqetësim emocional, ndërsa me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete apo personin tjetër, përdorë kanosjen serioze ndaj të dëmtuarve Sami Fetahi dhe Tefik Fetahi, që të kryejnë veprim në dëm të pasurisë së tyre, ku fillimisht ua kërkon 1,150,000.00 euro e pastaj 690,000,00 euro, duke pretenduar se këto të holla i takojnë atij, me arsyetimin se i pandehuri kishte ndihmuar babain e të dëmtuarit Sami në shitjen e pronës dhe në parandalimin e shitjes së pronës nga dikush tjetër, me këtë rast u dërgon të dëmtuarve mesazhe me përmbajtje detyruese.

Andaj, gjyqtari i procedurës paraprake Eroll Gashi ka vlerësuar se caktimi i masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, është masë dekuate.

The post Dyshohet për ngacmim e detyrim, ish-këshilltarit të Kurtit i ndalohet që t’i afrohet hoxhës Fetahi dhe të dëmtuarit tjetër appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip