Karriera e Kylian Mbappé te Real Madridi, deri tani, nuk ka rrjedhur ashtu siç pritej nga shumëkush. Edhe pse 27-vjeçari ka shifra mbresëlënëse – 85 gola në 100 paraqitje që nga transferimi në “Bernabeu” – “Los Blancos” janë pranë një sezoni të dytë radhazi pa fituar La Ligën apo Ligën e Kampionëve, diçka e papranueshme për një klub me 36 tituj kampioni dhe 15 Kupa Evropiane.
Me frustrimin e tifozëve në rritje dhe zërat për tensione në dhomat e zhveshjes, vëmendja është zhvendosur nga fusha te gjithçka që po ndodh rreth yllit francez.
Debati për pushimet në Sardenjë
Mbappé aktualisht është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi muskulor (në fund të prillit kundër Real Betis), duke e lënë në dyshim për El Clásicon e së dielës kundër Barcelonës – një ndeshje që Reali duhet ta fitojë për të mos i hapur rrugë Barçës drejt titullit.
Në vend që fokusi të jetë vetëm te rikuperimi, polemikat janë ndezur pas udhëtimit të Mbappés në Sardenjë gjatë periudhës së rikuperimit. Edhe pse udhëtimi ishte i miratuar nga klubi, koha u konsiderua e papërshtatshme nga shumë tifozë, sidomos kur në të njëjtën periudhë qarkulluan foto të tij në jaht, ndërsa Reali luante ndaj Espanyolit.
Trajneri Álvaro Arbeloa u përpoq ta zbusë situatën: “Në kohën e lirë, Mbappé mund të bëjë çfarë të dojë, si çdo lojtar tjetër”. Megjithatë, reagimi negativ nuk u ndal.
Peticioni “kundër” Mbappés dhe klima e rënduar
Pakënaqësia u kthye edhe në veprim të organizuar. Një peticion online që kërkon largimin e Mbappés u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Ai synonte 200 mijë nënshkrime, por sipas raportimit, u nënshkrua nga më shumë se 12 milionë persona brenda më pak se 24 orësh.
Edhe pse nuk mund të verifikohet sa prej tyre janë realisht tifozë të Real Madridit, peticioni pasqyron klimën e tensionuar që shoqëron klubin në këtë fundsezoni. Reali është 11 pikë prapa Barcelonës në La Liga dhe është eliminuar nga Liga e Kampionëve në çerekfinale.
Në këtë kontekst, vëmendja ndaj “yjeve” është rritur. Mbappe, pavarësisht se është ndër më vendimtarët në gola, është bërë shënjestër kritikash për angazhimin, veçanërisht për kontributin defensiv dhe për atë që perceptohet si distancë me ambientin.
Përfaqësuesit e lojtarit reaguan këtë javë me një deklaratë, duke thënë se kritikat “nuk pasqyrojnë realitetin e angazhimit dhe punës së përditshme të Kylian për ekipin”.
A luan në El Clásico? Në afat të shkurtër, pyetja kryesore është nëse Mbappé do të jetë gati për “Camp Nou”. Arbeloa tha pas ndeshjes së fundjavës: “Do të shohim si do të jetë Mbappé këtë javë. Pas testeve të javës së kaluar, dukej se mund t’i duhet edhe pak kohë”.
Çfarë thotë analiza në Spanjë?
Kolumnisti i BBC Sport, Guillem Balagué, shkruan se në Spanjë shpesh krijohen narrativa nga detaje të vogla, sidomos kur Reali po kalon një periudhë të dobët. Sipas tij, debati “pse nuk vrapon më shumë”, “pse nuk lidhet me Vinicius Jr” apo “pse Reali s’ka fituar me Mbappén” mund të jetë i gabuar, sepse problemet janë më të gjera se sa një lojtar i vetëm.
Megjithatë, Balagué pranon se disa pamje “duken keq” – si udhëtimi me avion privat pak para një ndeshjeje, apo paraqitja e tij në pushime gjatë një periudhe delikate. Ai shton se në Madrid vlerësohet shumë kur lojtarët “vrapojnë edhe për topin e pamundur” dhe se Mbappe perceptohet herë pas here si i ftohtë dhe i distancuar me tifozët.
Në media ka gjithashtu debat nëse Mbappé dhe Vinicius Jr mund të funksionojnë në të njëjtin sistem sulmues pa dëmtuar ekuilibrin e ekipit. Një konsensus i përafërt është se zgjedhja e trajnerit të duhur do të jetë vendimtare për ta rikthyer kohezionin dhe besimin pas këtij sezoni zhgënjyes.
Mesazhi që përsëritet më së shumti është i qartë: një sezon i tretë pa trofe do të ishte i papranueshëm si për klubin, ashtu edhe për tifozët e tij. /Telegrafi/
