Poezi nga: Erich Fried
Përktheu: Maksim Rakipaj
Çfarë doni vërtet?
A doni vërtet t’i tejkaloni
ata që ju shkelnin me këmbë
një brez më parë
në gjakun dhe jashtëqitjet tuaja?
Tani doni t’u bëni të tjerëve
torturat e dikurshme
të ndyra, të përgjakshme
që dikur pësonin etërit tanë
prej torturuesve që kënaqeshin
kur i mundonin në ato kohë?
A doni vërtet të jeni
Gestapoja e re
Vermahti i ri
SA-të dhe SS-ët e rinj
dhe t’i ktheni palestinezët
në hebrenj të rinj?
Por, ama, edhe unë
para pesëdhjetë vitesh
si fëmijë hebre
torturohesha
nga të njëjtët xhelatë
prandaj dua me qenë
bashkë me këta hebrenjtë e rinj
se palestinezët kështu po i shndërroni.
Dhe dua t’i ndihmoj ata të kthehen
si njerëz të lirë
në vendin e tyre, Palestinë
nga i cili vazhdoni t’i dëboni
ose t’i torturoni
ju nxënës të svastikës
ju përbindësha budallenj
të historisë botërore,
se në flamujt tuaj
Ylli i Davidit
po shndërrohet gjithnjë e më shpejt
në shenjën e mallkuar
të kryqit të thyer që
tani nuk doni ta shihni
por sot, atë rrugë po ndiqni!
(Shënimi i përkthyesit: Këtë poezi Fried e shkroi në vitin 1988, pak para vdekjes)
