E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Kushtetuesja refuzon ankesën e ish-zyrtarit korrektues pas një procesi dy dekadash për çështjen e largimit nga puna

Gjykata Kushtetuese 750x430 1

Pas më shumë se dy dekadash duke ndjekur rrugët ligjore, Muhamet Ademit, Gjykata Kushtetuese ia refuzoi ankesën ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, e cila i jepte të drejtë Shërbimit Korrektues të Kosovës- Qendra e Paraburgimit në Lipjan për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Sa i përket kronologjisë së rastit, Muhamet Ademi ishte i punësuar më herët si zyrtar korrektues në SHKK, saktësisht në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan. Por më 26 qershor 2004, SHKK-ja e kishte larguar nga puna me arsyetimin se ka bërë shkelje disiplinore dhe kjo ndërlidhur me një incident që kishte ndodhur më 21-22 maj 2004 kur kishte ikur nga burgu një i burgosur, ndërsa kishin tentuar që të arratiseshin edhe tre të tjerë.

Sipas vendimit, në kohën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës, Qendra e Paraburgimit në Lipjan administrohej nga Departamenti i Drejtësisë i UNMIK-ut.

Rrjedhimisht, ankesë në organin e dytë të punëdhënësit kishte bërë Ademi, por që edhe kjo shkallë e kishte refuzuar. Ndërsa, sipas vendimit të Kushtetueses, vendimi për refuzimin e ankesës nuk përmbante këshillë juridike.

Pas, kësaj, më 2 shkurt 2005, thuhet se Muhamet Ademi kishte paraqitur padi atëkohë në Gjykatë Komunale në Lipjan, duke kërkuar anulimin e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe vendimit që ia refuzoi ankesën.

Kurse, më 7 prill 2005, kjo Gjykatë kishte vendosur në favor të Ademit duke e obliguar Shërbimin Korrektues që ta kthejë atë në vendin e punës duke ia njohur të gjitha të drejtat që rrjedhin nga marrëdhënia e punës.

Kurse, Shërbimi Korrektues, Qendra e Paraburgimit në Lipjan, në korrik të po atij viti, kishte bërë ankesë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Pas më shumë se dy vitesh, kjo gjykatë e kishte kthyer rastin nërivendosje sepse ishte konstatuar se Ademi kishte statusin e nëpunësit civil dhe se Gjykata Komunale në Lipjan e kishte vërtetuar gabimisht gjendjen faktike.

Kushtetuesja në vendim thotë se Gjykata e Qarkut kishte konstatuar se Ademi fillimisht duhej të ankohej në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës kundër vendimit për largimin nga puna dhe kundër vendimit që ia refuzoi ankesën.

Por, sërish, Gjykata e Shkallës së parë më 25 shkurt 2010 kishte vendosur që të aprovohet padia e Ademit. Ndërsa, sërish Shërbimi Korrektues kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Qarkut.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Gjykatat, më 28 qershor 2013, Apeli vendosi ngjashëm sikurse Gjykata e Qarkut.

“Konstatoi se gjykata e shkallës së parë nuk ka vepruar sipas rekomandimeve të gjykatës së shkallës së dytë, përkatësisht nuk ka konstatuar nëse parashtruesi i kërkesës ka parashtruar ankesë në KPMK dhe në këtë mënyrë nuk ka vërtetuar plotësisht gjendjen faktike”, thuhet në vendimin e Kushtetueses i cili tregon se ketë herë rasti ishte kthyer në rigjykim.

Kurse, më 30 korrik 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi në favor të parashtruesit: anuloi vendimet për largimin nga puna dhe urdhëroi kthimin e tij në vendin e punës me të gjitha të drejtat.

Gjykata e shkallës së parë, këtë herë sipas vendimit kishte arsyetuar se Shërbimi Korrektues kishte vepruar kundërligjshëm sepse për të njëjtën ngjarje fillimisht i kishte shqiptuar masa disiplinore (ndalim i rritjes së pagës dhe gradës), e më pas edhe largim nga puna.

Kurse, Shërbimi Korrektues më 1 dhjetor 2015 kishte parashtruar ankesë në Apel e që kjo shkallë më 16 prill 2020  kishte vendosur kundër Ademit duke anuluar vendimin e Gjykatës Themelore dhe e hodhi poshtë padinë si të pasafatshme.

Më pas, më 30 qershor 2020, Ademi kishte bërë revizion në Supreme me pretendimin se padia ishte paraqitur në afat dhe se shumë gjykata më herët e kishin pranuar këtë. Por,  Supremja, më 13 janar 2021, e refuzoi revizionin dhe vendosi se padia ishte paraqitur jashtë afatit ligjor.

Sipas vendimit të Kushtetueses, Gjykata Supreme gjithashtu konstatoi se procedura disiplinore ndaj tij ishte zhvilluar sipas ligjit dhe se largimi nga puna ishte bërë për shkelje të rënda të detyrës së punës.

Më pas, më 16 mars 2021, Muhamet Ademi i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kundërshtuar vendimet e Gjykatës Supreme dhe asaj të Apelit. Ai kishte pretenduar se ishin llogaritur gabim afatet procedurale për refuzimin e padisë e që rrjedhimisht iu ishin shkelur të drejtat kushtetuese për mjet juridik dhe mbrojtje gjyqësore.

Ndërsa, në vendim thuhet se më 16 korrik 2024, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të tij. Ishte konstatuar se Gjykata Supreme kishte shkelur të drejtën për gjykim të drejtë dhe për qasje në gjykatë, sepse nuk kishte marrë parasysh rrethanat e rastit, kohëzgjatjen e procedurës dhe kishte aplikuar shumë formalizëm. Si rezultat, këtë herë Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm vendimin e Gjykatës Supreme dhe e ktheu rastin për rivendosje.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme më 17 tetor 2022 pranoi revizionin e Muhamet Ademit dhe e ktheu çështjen në Gjykatën e Apelit për rishqyrtim. Kështu, më 24 tetor 2024, Apeli vendosi sërish në favor të Ademit dhe konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore, duke konstatuar se largimi i tij nga puna ishte i paligjshëm, pasi për të njëjtën shkelje i ishte shqiptuar më parë masë disiplinore dhe nuk mund të ndëshkohej dy herë për të njëjtin rast.

Më 16 janar 2025, Ministria e Drejtësisë kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme dhe pas më shumë se një muaji, kjo Gjykatë ndryshoi sërish vendimet e mëparshme dhe e refuzoi padinë e Ademit me arsyetimin se ndaj tij ishin shqiptuar dy masa të ndryshme disiplinore për dy ngjarje të ndryshme të rënda (njëra lidhej me vetëvrasjen e një të burgosuri dhe tjetra me arratisjen e një të burgosuri).

Sipas Kushtetueses, Gjykata Supreme gjithashtu theksoi se gjykatat më të ulëta kishin zbatuar gabimisht ligjin dhe se çështjet disiplinore të punës i përkasin punëdhënësit dhe rregullohen me rregullore të brendshme. Sipas kësaj gjykate, veprimet e Ademit përbënin shkelje të rënda dhe masa e shkarkimit ishte e justifikuar.

Por ketë herë, në Kushtetuese, Ademi kishte ardhur me pretendimet se Supremja kishte tejkaluar kompetencat me arsyetimin se është marrë me vërtetim të gjendjes faktike e që sipas tij, nuk e lejojnë dispozitat ligjore.

Në vendimin e saj të fundit, Gjykata Kushtetuese konstaton se Supremja ka vepruar brenda kompetencave të saj, pasi ligji i lejon që kur konstaton zbatim të gabuar të ligjit material, ta ndryshojë vendimin e gjykatave më të ulëta. Andaj, u konstatua se aktgjykimi i Supremes nuk ka shkelje të Kushtetutës. /BetimipërDrejtësi/

The post Kushtetuesja refuzon ankesën e ish-zyrtarit korrektues pas një procesi dy dekadash për çështjen e largimit nga puna appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip