Kalimi i anijeve që transportojnë gaz natyror të lëngshëm (LNG) përmes Ngushticës strategjike të Hormuzit ka rifilluar gradualisht dhe në mënyrë diskrete, pas ndërprerjes së shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme.
Sipas kompanisë së monitorimit detar Kpler, të paktën pesë anije LNG kanë kaluar në dy javët e fundit përmes kësaj rruge jetike për tregtinë globale të energjisë, duke lundruar me transponderët e çaktivizuar për të shmangur gjurmimin publik.
Analistja e Kpler, Laura Page tha se kompanitë e transportit kanë treguar kujdes maksimal që nga shpërthimi i konfliktit, për shkak të vlerës së lartë të anijeve LNG dhe numrit të kufizuar të flotës globale.
“Nga fillimi i luftës, operatorët kanë marrë masa të jashtëzakonshme sigurie, pasi anijet LNG janë asete shumë të kushtueshme dhe të ndjeshme”, theksoi ajo.
Të dhënat e Kpler tregojnë se nga 1 marsi deri më 21 prill vetëm një anije LNG, “Sohar”, kaloi bosh përmes Hormuzit. Situata ndryshoi pas 22 prillit, kur u regjistruan edhe katër anije të tjera të lidhura me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Dy prej tyre, “Mubaraz” dhe “Mraweh”, transportonin ngarkesa LNG kur kaluan përkatësisht më 23 dhe 27 prill.
