
“Drejtësia, kujt i shërben ajo?” Kjo ka qenë një nga temat e diskutimit këtë të enjte në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
I ftuar në studio, anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, tha se Reforma në Drejtësi u përdor nga mazhoranca për të kapur prokurorët dhe kjo, sipas tij, u pa në procesin e vettingut.
Deklaratë e cila solli debat mes Muçollarit dhe gazetares Brunilda Çifligu, e cila tha se opozita akuzon prokurorët që kanë në dorë çështjet e zyrtarëve opozitarë.
Gjatë diskutimit, gazetarja solli në vëmendje prokurorin e SPAK, Olsi Dado, i cili ka në dorë çështjen “Veliaj”.
Pjesë nga biseda:
Muçollari: Pati një vullnet të partive kryesore për të bërë një reformë në drejtësi. Më pas, mënyra se si reforma në drejtësi u implikua dhe tentativa e mazhorancës për të përdorur komisionet e vettingut, kjo është e faktuar.
Bonjaku: Po, sepse opozita e la procesin bosh.
Muçollari: Jo më kot, PD-së i lind e drejta që të flasë për procese të motivuara politikisht. Për sa kohë mazhoranca ka ndërhyrë në vetting, ka ndërhyrë për qëndrime politike. Opozita ka folur për procesin e Sali Berisha, që është një proces absurd. Kemi dokumentuar që gjyqtarja Gjoka ka gënjyer në proceset e vettingut. Sot kanë ardhur dokumente nga Ministria e Jashtme e Greqisë. Çfarë ka thënë opozita janë të vërteta.
Çifligu: Pse i ndani prokurorët, ca të nënës e ca të njerkës?
Muçollari: Sepse disa nga prokurorët kanë marrë përsipër t’i shërbejnë verbërisht qeverisë.
Çifligu: Olsi Dado kujt i shërben verbërisht?
Muçollari: Nuk e di kujt i shërben.
Çifligu: I shërben pushtetit Olsi Dado apo jo?
Muçollari: Kur një prokuror ngre çështje për qeverinë, nuk ka asnjë mundësi t’i shërbejë opozitës, sepse opozita nuk ka instrumente ta blejë. Ne nuk kemi asgjë çfarë t’i ofrojmë.
Borakaj: Por mund t’u ketë një nder borxh.
