Në vitin 2016, CEO i atëhershëm i Apple, Tim Cook, bëri një premtim të madh për të ardhmen e iPhone-ve: përdoruesit do të merrnin funksione “pa të cilat nuk mund të jetonin”, edhe pse ende nuk e dinin se kishin nevojë për to.
Në atë kohë, modeli më i ri ishte iPhone 7, ndërsa teknologji si Face ID ende nuk ekzistonin.
Vetëm një vit më vonë, iPhone X solli ndryshimin më të madh në dizajnin e iPhone-it deri atëherë, me ekran “all-screen” dhe funksionin revolucionar Face ID, që lejonte zhbllokimin vetëm me fytyrë.
Ndërkohë, iPhone 8 prezantoi karikimin pa kabllo, ndërsa linja e iPhone-ve vazhdoi të evoluojë me modele gjithnjë e më të avancuara.
Sot, gati 20 vite pas iPhone-it të parë, përdoruesit kanë në duar serinë iPhone 17, përfshirë versionet Pro dhe Pro Max.
Cook mori drejtimin e Apple në vitin 2011 pas vdekjes së Steve Jobs, kur modeli më i ri ishte iPhone 4S — telefoni që prezantoi për herë të parë asistenten virtuale Siri.
Së fundmi u bë e ditur se Tim Cook do të largohet nga posti i CEO-s pas 15 vitesh në krye të kompanisë, ndërsa vendin e tij do ta marrë John Ternus.
Duke folur për largimin e tij, Cook tha: “Ka qenë privilegji më i madh i jetës sime të jem CEO i Apple dhe të drejtoj një kompani kaq të jashtëzakonshme”. /Telegrafi/
