E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Opozita sërish në protestë, çfarë pritet këtë herë? Muçollari: Synimi jonë largimi i qeverisë

A 75 522x400

Opozita ka thirrur një tjetër protestë kombëtare këtë të premte në orën 19:00. Por çfarë pritet të ndodhë në këtë protestë? Kjo ishte pyetja e moderatores Pranvera Borakaj mbrëmjen e kësaj të enjteje në studion e “Quo Vadis” në Vizion Plus.

I ftuar në studio, anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, tha se protesta është instrument për t’i bërë presion qeverisë.

Sipas tij, synimi i protestave është largimi i keqqeverisjes.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Çfarë do të ketë në protestën e opozitës?

Muçollari: Nuk ka detaje. Protestat ndodhin ashtu si ndodhin, qytetarët zgjedhin mënyrën e vet se si protestojnë. Protesta ka një arsye pse është thirrur dhe kjo është kërkesa për largimin e kryeministrit dhe qeverisë, e cila lidhet me mënyrën se si po qeveriset vendi. Kemi sot një qeveri që nuk po lejon të qeveriset në mënyrë normale, një qeveri të degraduar ku korrupsioni është bërë sistemik. Kemi një qeveri që flet për investime 50 milionë euro për ardhjen e një këngëtari, jo për familjet shqiptare. Kemi një qeveri që e trajton rritjen e naftës si oportunitet për të futur duart në xhepat e qytetarëve. Protesta është një formë presioni, një formë zgjidhjeje për qytetarët. Është një protestë që fton qytetarët për të protestuar.

Borakaj: Forma që ju zgjidhni për të protestuar, ku pas fjalës së zotit Sali Berisha qëlloni drejt Kryeministrisë, nuk mendoni se mban larg disa qytetarë?

Muçollari: Herë pas here na ndodh para publikut. Hall kur dalim dhe kemi vetëm manifestim, fjalime dhe qytetarë që janë në mbështetje të protestës, na kërkohet pse nuk reagoni, dhe hall kur ka një reagim më të fortë. A kanë të drejtë qytetarët të protestojnë? Patjetër që po.

Çifligu: Po kujt po ia shprehni? Ju po përplaseni me policinë.

Muçollari: Ne nuk jemi përplasur me policinë. Alarmi për keqqeverisjen jepet në të gjitha vendet.

Çifligu: Ia keni arritur kësaj?

Muçollari: Synimi tjetër është kthimi i protestës si instrument për t’i bërë presion apo edhe për të shkarkuar qeverinë. PD po organizon funksionin për të cilin ekziston.

InfoShqip