E shtunë, 09 Maj 2026
Lajme

Eric Cantona rikthehet përmes dokumentarit në Kanë

Eric 4

Një dokumentar i ri i prezantuar në Festivalin e Filmit në Kanë rikthen në vëmendje pesë sezonet e trazuara, por triumfuese të Eric Cantona-s te Manchester United, si dhe marrëdhënien e veçantë mes tij dhe trajnerit legjendar Alex Ferguson.

Filmi, i titulluar “Cantona”, është realizuar nga regjisorët britanikë David Tryhorn dhe Ben Nicholas, të vetmit nga Britania që janë pjesë e përzgjedhjes zyrtare të festivalit këtë vit. Dokumentari synon të sjellë një portret më kinematografik të një prej figurave më të veçanta të futbollit, duke u fokusuar në periudhën kur francezi u shndërrua në ikonë të Manchester United.

Historia rikthehet 30 vite pas finales së Kupës FA të vitit 1996, kur Cantona shënoi një gol vendimtar ndaj Liverpool-it, duke i dhënë United një tjetër sukses të madh dhe duke kurorëzuar një nga rikthimet më të bujshme në historinë e Premier League.

Eric 1 928x600

Dokumentari ndalet edhe te momenti më i diskutuar i karrierës së tij: goditja e famshme ndaj një tifozi të Crystal Palace, pas përjashtimit nga loja. Për atë incident, Cantona iu afrua burgut, u pezullua për tetë muaj nga Federata Angleze dhe ishte pranë tërheqjes nga futbolli.

Sipas regjisorit David Tryhorn, mitologjia rreth Cantona-s është ndërtuar pikërisht edhe mbi atë moment. Ai thotë se pa incidentin dhe rikthimin që pasoi, futbollisti francez ndoshta nuk do të kishte marrë të njëjtin status ikonik.

Eric 2 825x600

Përmes pamjeve arkivore dhe intervistave të reja, filmi tregon se si Alex Ferguson arriti ta bindte Cantona-n të mos largohej nga futbolli dhe ta vazhdonte karrierën te Manchester United. Sipas realizuesve, dokumentari është konceptuar si një lloj historie dashurie profesionale mes trajnerit dhe lojtarit, ku Ferguson e fal, e mbështet dhe në fund shpërblehet me dy sezone të jashtëzakonshme nga francezi.

Ndryshe nga shumë dokumentarë sportivë, filmi shmang formulat klasike me tabela kampionati dhe muzikë dramatike. Në vend të kësaj, ai përdor një kolonë zanore elektronike nga Paul Hartnoll i Orbital dhe pamje më poetike, përfshirë skena ku Cantona pikturon në jug të Francës.

Një pjesë e veçantë e dokumentarit janë edhe pamjet e rralla të fëmijërisë së Cantona-s, të xhiruara nga babai i tij në film 8 mm. Ato e tregojnë atë si fëmijë, në momente intime dhe të pazakonta, duke i shtuar portretit një dimension më personal.

Eric 3 882x600

Në film flasin edhe Alex Ferguson, David Beckham dhe vetë Cantona. Regjisorët kanë zgjedhur ta intervistojnë futbollistin si në anglisht, ashtu edhe në frëngjisht, me bindjen se në gjuhën amtare ai shfaqet më autentik dhe më i drejtpërdrejtë.

Cantona paraqitet si një figurë plot kontradikta: një lojtar që kërkonte liri, por vepronte në një sport të ndërtuar mbi disiplinë; një artist i fushës që mund të krijonte momente të jashtëzakonshme, por edhe të shpërthente dhunshëm; një njeri që e përshkroi pezullimin si “të shihte vdekjen e vet”, por që edhe sot, në moshën 59-vjeçare, thotë se nuk ka pendesë për incidentin e famshëm.

Dokumentari është pritur mirë nga vetë Cantona, i cili nuk kishte të drejtë vendimmarrjeje mbi versionin final të filmit. Për realizuesit, përzgjedhja në Festivalin e Kanës shihet si një vlerësim i madh për një projekt që është punuar për katër vite dhe që synon ta paraqesë Cantona-n jo vetëm si futbollist, por si fenomen kulturor. /GazetaExpress/

The post Eric Cantona rikthehet përmes dokumentarit në Kanë appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip