E premte, 08 Maj 2026
Lajme

“Çelësat që nuk hapin më asnjë derë”/ Artisti shqiptar Milot befason Bienalen e Venecias

Një tavolinë e shtruar me 30 pjata. Mbi to, 30 çelësa të shtrembëruar, të deformuar, pa funksion. Një vepër që nuk servon ushqim, por një pyetje të fortë për botën: A na ka verbuar lakmia?
Artisti shqiptar Alfred Mirashi, i njohur si Milot, ka tërhequr vëmendjen në Bienalen e Venecias me instalacionin e tij provokues “Senza Chiave” – “Pa çelësa”, një vepër me mesazh të fortë kundër luftës, dhunës dhe etjes njerëzore për kontroll.

Në një lidhje direkte për “ABC e Mëngjesit”, artisti rrëfeu simbolikën e fortë të instalacionit që po ekspozohet në pavijonin e Guinesë Ekuatoriale.
“Janë çelësat e fundit të lakmisë, të servirur mbi tryezën që askush nuk duhet ta shtrojë më”, shprehet Milot. Vepra përbëhet nga 30 pjata me diametër 50 centimetra, mbi të cilat janë vendosur po aq çelësa relike, të deformuar dhe të ngjyrosur. Dikur simbol pushteti dhe kontrolli, sot ata duken si objekte që kanë humbur kuptimin.

“Nuk hapin më dhe nuk mbyllin më asnjë derë. Thjesht ekzistojnë”, thotë artisti. Përmes kësaj vepre, Milot kërkon të godasë ndërgjegjen njerëzore dhe të japë një apel të fortë për reflektim.
“Ju bëj thirrje të gjithëve të mos harrojmë atë që na është dhuruar dhe të ndryshojmë drejtim para se të jetë tepër vonë për të ndrequr gabimet”, shprehet ai.

Në instalacion dominojnë ngjyrat blu të qiellit dhe ujit, e verdha dhe e kuqja floreale, të ndërthurura me motive tribale dhe drita të forta që kontrastojnë me deformimin e çelësave.
“Këto ngjyra përfaqësojnë jetën dhe energjinë, ndërsa çelësat e shtrembëruar simbolizojnë egoizmin dhe lakminë që deformojnë njeriun”, shpjegon Milot.

Sipas kuratorit Massimo Scaringella, vepra nuk është thjesht një instalacion artistik, por një goditje emocionale dhe filozofike mbi mënyrën si njerëzimi po humbet sensin e vlerave.
Ndërsa artistja Chiara Modicà Donà Dalle Rose, mbesë e familjes Kastrioti, e konsideron veprën një urë mes memories, identitetit dhe realitetit modern.

Vetë Milot thotë se këtë herë ka zgjedhur të lëvizë mes reales dhe imagjinares. “I jap objektit kuptime të ndryshme. Nuk dua që ai të ketë vetëm një dimension”, përfundon artisti shqiptar që po bën jehonë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë.

InfoShqip