Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se lufta me Iranin mund të marrë fund shumë shpejt, ndërsa zbuloi se SHBA-ja ka zhvilluar “bisedime shumë të mira” me Teheranin gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas raportimeve të medias amerikane Axios, Shtëpia e Bardhë besohet se është pranë arritjes së një memorandumi mirëkuptimi me 14 pika me Iranin, i cili do të shërbente si bazë për negociata më të detajuara mbi programin bërthamor iranian.
Dokumenti parashikon, ndër të tjera, pezullimin e pasurimit bërthamor nga Irani, heqjen e sanksioneve dhe rikthimin e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë reaguar me skepticizëm. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ismail Baghaei, tha se propozimi amerikan “është ende në shqyrtim”, ndërsa parlamentari iranian Ebrahim Rezaei e cilësoi atë si një “listë dëshirash”.
Duke folur në një aktivitet virtual me republikanët në shtetin e Xhorxhias, Trump u shpreh optimist për përfundimin e konfliktit dhe theksoi se shumica e amerikanëve e mbështesin qëndrimin e tij për të mos lejuar Iranin të sigurojë armë bërthamore.
“Ne kemi pasur bisedime shumë të mira gjatë 24 orëve të fundit dhe është shumë e mundur që të arrijmë një marrëveshje,” deklaroi ai.
Trump paralajmëroi gjithashtu Iranin se nëse nuk pranon marrëveshjen, SHBA-ja mund të rifillojë sulmet me intensitet më të lartë. Në të njëjtën kohë, ai njoftoi pezullimin e operacionit “Project Freedom”, i cili synonte rikthimin e qarkullimit të anijeve dhe furnizimeve me naftë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Nga ana tjetër, Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC) la të kuptohet se ngushtica mund të rihapet nëse ndalen “kërcënimet e agresorëve”.
Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se ekziston “koordinim i plotë” mes Izraelit dhe SHBA-së për çështjen iraniane.
Komentet e tij erdhën pasi Izraeli kreu një sulm të ri në Beirut, duke pretenduar se kishte shënjestruar një komandant të lartë të Hezbollahut.
