E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Harry ndjen mungesën e familjes mbretërore – pamjet e Charlotte i rikthyen një dhimbje të vjetër

Image

Princi Harry thuhet se është ndjerë i trishtuar pasi pa fotografitë e publikuara për ditëlindjen e 11-të të princeshës Charlotte, sepse ato i kujtuan se fëmijët e tij, princi Archie dhe princesha Lilibet, nuk janë të afërt me familjen mbretërore në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Page Six, një mik i vjetër i Harryt i ka thënë gazetarit Richard Eden (Daily Mail) se edhe pse Archie dhe Lili po e shijojnë jetën në Kaliforni, Harry e ndjen rëndë faktin që ata nuk po rriten pranë pjesës tjetër të familjes.

Ai, sipas të njëjtit burim, mendon se fëmijët e tij po humbin rrjetin e gjerë familjar që e kanë kushërinjtë e tyre – George, Charlotte dhe Louis, fëmijët e princit William dhe Kate Middleton, të cilët ndjekin shkollën Lambrook në Angli.

I njëjti burim pretendon se Harry dëshiron që Archie dhe Lilibet të kenë “arsimimin më të mirë të mundshëm” dhe të krijojnë miqësi të forta e të qëndrueshme, ashtu siç ai vetë i ka ruajtur miqtë e ngushtë nga koha e shkollës në Ludgrove dhe Eton.

Ndërkohë, William dhe Kate kanë publikuar një portret të ri të Charlotte në një fushë me lule, si dhe një video ku ajo shfaqet në plazh me qentë e familjes, duke falënderuar publikun për urimet.

Harry dhe Meghan Markle jetojnë në Amerikën e Veriut që nga viti 2020, kur u tërhoqën nga detyrat si anëtarë aktivë të familjes mbretërore.

Ata aktualisht banojnë në Montecito, Kaliforni, ndërsa marrëdhëniet e Harryt me babanë e tij, mbretin Charles III dhe vëllanë, princin William, janë përshkruar si të tensionuara, megjithëse raportimet thonë se ai po përpiqet për pajtim. /Telegrafi/

InfoShqip