E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, arrestohen kuzhinieri dhe teknologu i kompanisë së kateringut, administratorja në kërkim

Akademia E Sigurise 600x400

Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në ambientet e institucionit, ndërsa lidhur me ngjarjen policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur një tjetër në kërkim.

Në pranga kanë rënë teknologu dhe kuzhinieri i kompanisë private të kateringut, e cila kishte kontratë me Akademinë e Sigurisë për furnizimin me tre vaktet ushqimore të studentëve. Ndërkohë, administratoria e kompanisë është shpallur në kërkim.

Ngjarja ndodhi pasi studentët konsumuan drekën në ambientet e Akademisë së Sigurisë dhe më pas nisën të shfaqnin simptoma të rënda, si të vjella dhe dhimbje të forta barku.

Për shkak të komplikacioneve, ata u transportuan drejt spitalit, ku morën ndihmën mjekësore.

Pas marrjes së mjekimit, studentët janë larguar nga spitali.

Ndërkohë, institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e shkakut të helmimit.

Burime bëjnë me dije se specialistë të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) kanë marrë mostra ushqimore dhe materiale të tjera për analiza laboratorike, me qëllim identifikimin e faktorëve që çuan në incidentin e rëndë.

InfoShqip