Michael Carrick e mori Manchester Unitedin në mes të stuhisë dhe me qetësi e thjeshtësi, e ktheu klubin te identiteti dhe rezultatet.
Pas shkarkimit të Ruben Amorim, “Djajtë e Kuq” ishin një skuadër e humbur, pa ide të qartë loje dhe larg objektivave madhorë. Brenda pak muajsh, Carrick arriti ta ndryshojë dinamikën e ekipit dhe ta rikthejë Unitedin në Ligën e Kampionëve, dy vjet pas paraqitjes së fundit. Fitorja dramatike 3-2 ndaj Liverpoolit e vulosi matematikisht këtë arritje.
Bilanci i tij flet vetë: 14 ndeshje, 10 fitore, dy barazime dhe vetëm dy humbje. Një ecuri që e bën Manchester Unitedin skuadrën më të mirë në Ligën Premier që nga momenti kur Carrick mori drejtimin – 32 pikë, pesë më shumë se Arsenali dhe Manchester City në të njëjtën periudhë.
Në pjesën e dytë të sezonit, “Djajtë e Kuq” mposhtën të pesë ekipet e ashtuquajtura të “Superligës”, si dhe Aston Villën – diçka që nuk kishte ndodhur që nga sezoni 2012/13, viti i fundit i Sir Alex Ferguson. Me edhe katër pikë, United mund të sigurojë për herë të pestë në 12 vitet e fundit një vend në top 3.
Por cilat janë “sekretet” e ndikimit kaq të menjëhershëm të Carrick?
Trashëgimia e Unitedit në gjak
Historia e fundit e Manchester Unitedit është e njohur: lavdi e madhe, por edhe humbje e drejtimit pas epokës Ferguson. Këtë sezon, me Amorim, gjithçka dukej se po shkonte drejt një tjetër kampanje të zbehtë. Carrick u thirr për ta “ndrequr” situatën.
Si ish-legjendë e klubit, ai kishte provuar më parë të ishte trajner i përkohshëm në 2021/22 për tri ndeshje, më pas u rrit te Middlesbrough (136 ndeshje në krye) dhe, kur erdhi thirrja e Unitedit, ishte e pamundur të refuzohej.
Fillimi e tregoi menjëherë se kjo nuk do të ishte thjesht “zgjidhje emergjente”: fitore 2-0 ndaj Manchester City dhe 3-2 në Emirates ndaj Arsenalit. Carrick po e drejton “Unitedin e tij” – me atë ADN që e kishte jetuar si protagonist në kohën e Fergusonit.
Edhe vetë Carrick, megjithëse i kënaqur me ecurinë, nuk e sheh punën të mbyllur: “Kemi pasur një seri të mirë, duke mposhtur ekipe shumë të forta. Por jo gjithçka është perfekt – presim më shumë”. Një mesazh tipik për një projekt që sapo ka nisur dhe që pritet të vazhdojë sezonin e ardhshëm, me synimin për t’u kthyer te trofetë.
Thjeshtësi në vend të kaosit
Mediat angleze e kanë përshkruar punën e Carrick me një shprehje të qartë: common sense – logjikë e shëndoshë. Në vend të revolucionit, ai zgjodhi formacionin: një 4-2-3-1, disa parime bazë dhe mbi të gjitha skuadrën në qendër – “frymë dhe bashkë”.
Carrick ka qenë i qetë në deklarata, ka vendosur lojtarët para vetes dhe ka refuzuar të jetë në qendër të vëmendjes.
Tek Unitedi i tij, njeriu është kthyer në fokus: “Gjithçka ka të bëjë me njerëzit; lidhja është çelësi”. Dhe kjo punë ka qenë më shumë mendore sesa thjesht taktike – veçanërisht te Kobbie Mainoo.
Rilindja e Mainoo dhe rikthimi i liderëve
Mainoo, produkt i akademisë (i lindur më 2005), dukej jashtë planeve të Amorim: për pesë muajt e parë nuk u aktivizua asnjëherë titullar dhe në janar u fol edhe për largim. Me ardhjen e Carrick, gjithçka ndryshoi. Mesfushori luajti 13 nga 14 ndeshjet (mungoi vetëm një për shkak dëmtimi), pothuajse gjithmonë 90 minuta, pa u zëvendësuar. Kulmi erdhi me golin vendimtar në 3-2 ndaj Liverpoolit – ndeshja që praktikisht e çoi Unitedin në Champions League.
Fjalët e Mainoos pas kësaj ndeshjeje janë më domethënëset për ndikimin e trajnerit: “Dëshiron ta ndjekësh. Dëshiron të luftosh për të. Dëshiron të vdesësh për të në fushë”. Një deklaratë që flet për besim dhe lidhje – themelet e transformimit.
Edhe Bruno Fernandes u rikthye në qendër të projektit, me më shumë liri sulmuese dhe me shifra lidershipi: 15 gola në 14 ndeshje, ndërsa është vetëm një hap larg rekordit të 20 asistimeve në Ligën Premier që e mbajnë emra si Henry dhe De Bruyne. Përmirësim pati edhe te Sesko, i cili nga katër gola në 20 ndeshjet e para, shkoi në shtatë në 14 ndeshjet e fundit.
Por lideri i vërtetë i këtij Manchester Unitedi nuk është një individ – është grupi. Përqafimi i fundit pas fitores ndaj Liverpoolit ishte fotografia e qartë e asaj që Carrick ka ndërtuar: unitet, përkatësi dhe uri për ta bërë sërish të madh Manchester Unitedin.
Nga një grumbull talentësh në një skuadër – brenda pak muajsh. Ky është transformimi më i madh i Michael Carrick./Telegrafi/
