Real Madridi e mbylli me fitore përballjen e javës së 36-të në La Liga, duke mposhtur Real Oviedon 2-0 në “Santiago Bernabéu”.
“Los Blancos” e kanë siguruar tashmë vendin e dytë në kampionat, ndërsa në dy xhirot e fundit synojnë të grumbullojnë sa më shumë pikë, me Barcelonën që është shpallur kampione.
Goli i parë erdhi në minutën e 44-t, kur Gonzalo Garcia shfrytëzoi asistin e Brahim Diaz dhe realizoi nga afër për 1-0.
Oviedo kishte rastet e veta, me Nacho Vidal që rrezikoi dy herë (38’ dhe 63’), por pa gjetur rrjetën.
Në pjesën e dytë, Reali menaxhoi avantazhin dhe bëri lëvizje nga stoli, me Mbappen që u aktivizua në minutën e 69-të, ndërsa Jude Bellingham hyri në lojë në minutën e 64-t dhe u bë protagonist.
Anglezi shënoi një gol spektakolar në minutën e 80-të, duke depërtuar mes kundërshtarëve dhe duke goditur nga jashtë zone në këndin e poshtëm të majtë për 2-0, pa i lënë asnjë shans portierit Aaron Escandell.
Me këtë fitore, Real Madridi ngjitet në kuotën e 80 pikëve dhe e mban ritmin deri në fund të sezonit, duke kërkuar ta mbyllë kampionatin me maksimumin e mundshëm të pikëve. /Telegrafi/
