E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Regjistrohet rasti i parë me hantavirus në Zvicër

Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar një rast infektimi me hantavirus tek një pasagjer i anijes turistike MV Hondius, i cili është paraqitur në një spital në Cyrih, ku aktualisht po merr trajtim mjekësor.

Sipas njoftimit, pasagjeri reagoi ndaj një e-maili informues nga operatori i anijes për një incident shëndetësor në bord, pas së cilës ai vetë u paraqit pranë autoriteteve shëndetësore në Zvicër.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri të ditur se, në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit, po bashkëpunon me institucionet përkatëse të disa vendeve për të realizuar gjurmimin ndërkombëtar të kontakteve.

Qëllimi është identifikimi i personave që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit dhe parandalimi i përhapjes së mëtejshme.

Është konfirmuar se bëhet fjalë për hantavirusin Andes, ndërsa identifikimi është kryer nga Instituti Kombëtar për Sëmundje Infektive i Afrikës së Jugut dhe Spitali Universitar në Gjenevë.

Në reagimin ndaj këtij rasti shëndetësor kanë marrë pjesë edhe institucione të tjera ndërkombëtare, përfshirë Institutin Pasteur në Dakar (Senegal) dhe Administratën Kombëtare të Laboratorëve dhe Instituteve Shëndetësore të Argjentinës.

InfoShqip