
Wayne Rooney i ka paralajmëruar yjet e Liverpoolit, Virgil van Dijkun dhe Mohamed Salahun, se “mosha i arrin të gjithë”, teksa ata po afrohen drejt fundit të karrierës së tyre në “Anfield”.
Ish-kapiteni i Manchester Unitedit dha një vlerësim të drejtpërdrejtë për liderët e Liverpoolit, duke sugjeruar se të dy po fillojnë të ndiejnë efektet fizike të futbollit të nivelit të lartë.
Me Salahun 33 vjeç dhe Van Dijkun 34, Rooney theksoi se rënia e formës së tyre mund ta bëjë më të vështirë për lojtarët më të rinj të marrin rol udhëheqës në skuadër.
Edhe pse Van Dijku ka qenë i pranishëm në 51 ndeshje këtë sezon, Rooney beson se ai nuk ka arritur të ruajë standardet e larta të viteve të mëparshme.
Duke folur në “The Wayne Rooney Show”, ai bëri një krahasim me karrierën e tij.
“E kam thënë që në fillim të sezonit, mosha i arrin të gjithë dhe këmbët nuk janë më ato që kanë qenë. Mendoj se kjo ka ndodhur me Salahun këtë sezon dhe edhe Van Dijku nuk ka qenë i njëjti. Ata janë liderët në dhomën e zhveshjes dhe është e vështirë për të tjerët të dalin në pah”, tha ai.
Rooney gjithashtu kujtoi largimin e tij nga “Old Trafford” në moshën 31-vjeçare, duke përmendur përvojën me Zlatan Ibrahimovićin.
“Gjëja më e vështirë për një lojtar është të pranojë që nuk është më në nivelin e dikurshëm. Mua më ndodhi kur erdhi Zlatani dhe nuk po luaja. Doja të luaja, kështu që u largova menjëherë. E pranova”, u shpreh ai.
Sipas Rooneyt, sfida më e madhe për lojtarët me përvojë është të kuptojnë momentin kur duhet të bëjnë një hap prapa – diçka që mund të ndikojë edhe në të ardhmen e liderëve aktualë të Liverpoolit./GazetaExpress/
The post Rooney i paralajmëron yjet e Liverpoolit rreth moshës, ua kujton një anekdotë me Ibrahimovicin appeared first on Gazeta Express.
