Luis Enrique po e shkruan sërish historinë në Ligën e Kampionëve. Mbrëmjen e së mërkurës, sapo ra fishkëllima e fundit në “Allianz Arena”, u konfirmua se trajneri i Paris Saint-Germain do të drejtojë për herë të dytë radhazi në finalen e Ligën së Kampionëve.
PSG tashmë e pret finalen ndaj Arsenalit në Budapest, më 30 maj, ndërsa një tjetër triumf do ta vendoste Luis Enriquen në një “klub” shumë të rrallë: Ai do të bëhej vetëm trajneri i dytë që e fiton kompeticionin dy herë rresht, pas Zinedine Zidane, i cili e ngriti trofeun tri herë me Real Madridin (2016-2018).
Në anën tjetër, me Real Madridin në krizë dhe me shumë zëra për ndryshime në stol gjatë verës, ka lindur një pyetje e natyrshme: pse emri i Luis Enrique nuk lidhet seriozisht me postin më të madh në botën e futbollit? Aq më tepër kur ai është spanjoll dhe ka luajtur për Realin për pesë vite (1991-1995).
Por, sipas gjithçkaje që dihet dhe sipas zërave nga Spanja, një ribashkim i tillë është pothuajse i pamundur.
“Do të ishte bombë”
Tema u prek edhe në analizat spanjolle pas gjysmëfinales së kthimit, në transmetimin e “Movistar+”. Ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe ish-bashkëlojtar i Luis Enrique, Abelardo, ishte i prerë:
“Nuk do të doja që Luis Enrique të shkonte te Real Madridi sepse ai është më i miri… Por do të ishte e pabesueshme. Do të ishte bombë”.
Ndërkohë, ish-sulmuesi i Real Madridit, Fernando Morientes, u shpreh edhe më qartë: “Nuk e shoh të ndodhë për asnjërën palë. Florentino Perez nuk do ta shikonte Luis Enriquen për shkak të së kaluarës së tij, dhe Luis Enrique do ta shikonte Realin edhe më pak”.
Arsyet: Histori, “gjak i nxehtë” dhe rivalitet i thellë
Luis Enrique vjen nga Asturias dhe u formua te Sporting Gijon. Pas një sezoni shpërthyes në La Liga (1990/91), ku shënoi 15 gola, ai kaloi te Real Madridi dhe qëndroi pesë sezone në “Bernabeu”.
Edhe pse i zhvilloi mbi 200 ndeshje dhe fitoi titullin në La Liga në vitin 1995, Luis Enrique ka deklaruar më vonë se “rrallë është ndjerë i vlerësuar nga tifozët e Real Madridit”.
Kjo u pasua nga lëvizja që e ndezi përgjithmonë ndarjen: në verën e vitit 1996, ai u transferua te Barcelona si lojtar i lirë. Më pas, vetë ai e pranoi hapur lidhjen emocionale me Barçën, duke thënë se kishte qenë gjithmonë tifoz i saj.
Në Kataloni, Luis Enrique u bë kapiten dhe ikonë. Ajo që i dhemb më shumë Madridit është se ai jo vetëm që luajti për Barcelonën, por shënoi edhe pesë gola në “El Clasico” dhe festonte me pasion kundër ish-klubit, duke e bërë armiqësinë edhe më të fortë.
Madje, ai ka thënë edhe një fjali që vazhdon t’i irritojë “Madridistat”:
“Për një lojtar të Barçës, është gjithmonë kënaqësi të të vërshëllejnë në Santiago Bernabeu”.
Më pas erdhi edhe goditja tjetër: si trajner i Barcelonës në vitin 2014, Luis Enrique e udhëhoqi klubin drejt tripletës një vit më vonë, duke e mbyllur çdo diskutim për “pajtimin” e mundshëm me Realin.
Kontratë te PSG dhe një “jo” me shaka
Luis Enrique ka kontratë me PSG deri në vitin 2027, por edhe kur është pyetur për mundësinë që një ditë të marrë Real Madridin, ai e ka mbyllur temën me humor:
“Mendoj se nuk ka askënd në histori që ka qenë edhe lojtar edhe trajner i Barçës dhe Realit. Mund të thyej një rekord… nuk do ta bëj!”.
Pra, edhe pse është në kulmin e karrierës dhe po synon të hyjë në histori në Ligën e Kampionëve, rruga e Luis Enrique drejt stolit të Real Madridit duket e mbyllur – për shkak të së kaluarës, rivalitetit dhe “gjakut të keq” që ende nuk është shuar./Telegrafi/
