E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Vritet një person me thikë në Gjakovë

Image

Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës ka bërë të ditur se një person ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të shkaktuar nga një mjet i mprehtë.

Lajmi është konfirmuar nga Telegrafi nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit jemi njoftuar se një person i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Fillimisht ishte dërguar në QKMF dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku edhe ka ndërruar jetë”, njoftoi Elezaj.

Ai tutje bëri të ditur se bazuar në hetimet fillestare dyshohet se rreth orës 02:20 pas një mosmarrëveshje në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë, viktima është sulmuar nga një person, po ashtu i moshës madhore, i cili ndodhet në arrati.

Njësitë kompetente policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit është iniciuar rast “vrasje”.

Policia njofton se aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. /Telegrafi/

InfoShqip