E enjte, 14 Maj 2026
Lajme

E pranishme në momentin e incidentit mes Lushtakut dhe Mehanit, deklarohet Arjeta Fejza

Image

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me incidentin e raportuar në qendër të Skenderajt, duke thënë se ka qenë e pranishme në momentin kur ndodhi ngjarja.

“Sot, teksa po pinim kafe në qendër të Skenderajt, isha e pranishme kur ndodhi një sulm i papranueshëm fizik nga Sami Lushtaku ndaj Hysni Mehanit, ndërsa aktivistin Bahri Zabeli e sulmoi grupi i tij”, ka shkruar Fejza.

Ajo ka thënë se dhuna e ushtruar ndaj Mehanit dhe Zabelit është “e rëndë dhe e patolerueshme” dhe se raste të tilla, sipas saj, nuk duhet të normalizohen.

“Dhuna e ushtruar ndaj tyre është e rëndë dhe e patolerueshme në një shoqëri demokratike. Ngjarje të tilla nuk mund dhe nuk duhet të normalizohen”, ka shkruar ajo.

Fejza ka kërkuar nga organet e drejtësisë që rasti të trajtohet me urgjencë dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve.

“Kërkoj nga organet e drejtësisë që ta trajtojnë rastin me urgjencë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve”, ka theksuar Fejza.

Në fund, ajo ka deklaruar se, pavarësisht incidentit, Vetëvendosje nuk do të ndalet.

“Dhuna ndaj Hysni Mehanit dhe Bahri Zabelit është e patolerueshme dhe, njëkohësisht, bëjmë të qartë se sulmet e tilla nuk do të na ndalin”, ka shkruar Fejza. /Telegrafi/

InfoShqip