
FIFA ka konfirmuar se finalja e Kupës së Botës 2026 do të shndërrohet në një spektakël të vërtetë argëtimi, duke përfshirë për herë të parë një “halftime show” në stilin e Super Bowlit amerikan.
Sipas mediave amerikane, në skenën e pushimit të finales do të performojnë disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore: Madonna, Shakira dhe BTS, në një shfaqje që pritet të zgjasë më shumë se pushimi standard i ndeshjes, përcjell “Gazeta Express”.
Ndeshja finale e Botërorit, që do të zhvillohet më 19 korrik 2026 në “MetLife Stadium” në New York/New Jersey, do të jetë e para në histori të turneut që do të ketë një spektakël muzikor gjatë pushimit.
Organizimi i këtij eventi bëhet në bashkëpunim me “Global Citizen”, ndërsa kurator i projektit është Chris Martin i grupit Coldplay.
FIFA synon që me këtë format të ri ta bashkojë futbollin dhe muzikën në një event global të përmasave rekorde, duke e kthyer finalen e Botërorit në një nga ngjarjet më të mëdha të argëtimit në histori.
Ky ndryshim ka shkaktuar edhe debat në botën e futbollit, pasi disa e shohin si modernizim të turneut, ndërsa të tjerë shqetësohen se mund të ndikojë në ritmin tradicional të ndeshjes dhe kohëzgjatjen e pushimit. /Gazeta Express
The post Finalja e Botërorit 2026 do të ketë “show” në stilin Super Bowl me yje të muzikës appeared first on Gazeta Express.
