
Gazetari dhe analisti Armir Shkurti, i ftuar në “Quo Vadis” këtë të enjte, analizoi bashkimin e votave ditën e sotme në Kuvend mes PS dhe PD për rezolutën për integrimin.
Shkurti tha se janë disa çështje në interes të madh kombëtar ku forcat politike duhet të jenë bashkë dhe nuk duhet të ketë ndasi.
I pyetur nga moderatorja Borakaj nëse pati ndikim apo presion nga jashtë për të votuar bashkërisht, Shkurti tha se ka pasur presion të brendshëm.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Si t’u duk parlamenti sot?
Shkurti: Sot pata një lloj kënaqësie, për shkak se ka një proverb për këtë: “Rri në buzë të ujit se do ta sjellë lumi kokën e armikut”. Dy-tre muaj më parë, kur unë thashë që politika shqiptare për disa çështje thelbësore duhet të kishte bërë konsensus të padiskutueshëm, sot koha më dha të drejtë. Sali Berisha, kur diskutohej nëse do të hynte në Parlament apo jo, tha që për ligjet që kanë të bëjnë me integrimin do t’i votonte. Pavarësisht vërejtjeve që kam, jam i interesuar personalisht që për disa gjëra thelbësore nuk mund të ketë të majtë e të djathtë. Është interesi më i lartë i të gjithëve ne, që është hyrja në BE. Nëse jemi të gjithë pro hyrjes, atëherë ligjet e integrimit duhet të votohen. Sot nuk është se pashë ndonjë “uau” në politikën shqiptare. Politika shqiptare edhe për reformën në drejtësi janë bërë bashkë dhe votuan bashkë.
Borakaj: Në reformën në drejtësi pati presion, po këtu?
Shkurti: Këtu ka presion të brendshëm.
Borakaj: Çfarë sjell kjo rezolutë?
Shkurti: Është akt politik ku të gjithë duan kapital politik.
