Irani ka njoftuar se ka dislokuar nëndetëse të vogla në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa tensionet me Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të rriten. Bëhet fjalë për mjete detare të zhvilluara posaçërisht për ujërat e cekëta të kësaj ngushtice strategjike.
Vendosja e nëndetëseve është paraqitur si pjesë e forcimit të kontrollit mbi korridorin detar përmes të cilit kalon një pjesë e madhe e tregtisë botërore të energjisë. Komandanti i marinës iraniane, Shahram Irani, deklaroi se në zonë janë dërguar nëndetëse të lehta, të cilat i quajti “rojtarë të padukshëm” të Ngushticës së Hormuzit.
Analisti i mbrojtjes, Tom Shugart, vlerësoi se mini-nëndetëset iraniane të klasës Ghadir-class submarine mund të paraqesin një kërcënim të kufizuar për anijet tregtare dhe potencialisht të vendosin mina detare, por nuk përbëjnë sfidë serioze për anijet luftarake apo nëndetëset amerikane.
Ai paralajmëroi se këto nëndetëse dizel-elektrike duhet të dalin herë pas here në sipërfaqe për të rimbushur bateritë, gjë që i bën më të lehta për t’u zbuluar nga radarët dhe sistemet e tjera të mbikëqyrjes, shkruan fox news.
“Koha e operimit të tyre do të ishte e kufizuar, ndoshta vetëm për disa ditë”, tha Shugart. Ai shtoi se nëndetëset “në fund do të duhet të dalin në sipërfaqe dhe të përdorin snorkel-in, gjë që i bën më të cenueshme ndaj zbulimit dhe shkatërrimit”.
Ky zhvillim vjen në një moment kur lundrimi përmes Ngushticës së Hormuzit është bërë edhe më i vështirë për shkak të aktiviteteve ushtarake, bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe raportimeve për sulme ndaj anijeve të bllokuara në zonë.
Më herët, marina amerikane konfirmoi edhe mbërritjen e një nëndetëseje bërthamore të klasës Ohio-class submarine në Gjibraltar, duke theksuar se ky veprim demonstron kapacitetin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj aleatëve në NATO.
