Ngjarja që tronditi vendin, në 7 maj të vitit 1996, ku në Liqenin e Prespës së madhe u mbytën aksidentalisht 13 nxënës të shkollës së mesme të fshatit Buçimas në Pogradec dhe mësuesi i tyre, u përkujtua me një aktivitet të veçantë në shkollën “14 ëngjëjt”.
Mes lotëve dhe dhimbjes që nuk është shuar as pas tri dekadash, familjarët rikthyen kujtimet e ditës së zezë që u ndryshoi jetën përgjithmonë.
“E kisha vetëm 15 vjeçe. Nuk doja ta lija të shkonte, i thashë do të mbytesh, por shkoi pa lejen time bashkë me maturantët. E pritëm gjithë natën të kthehej. Darkën ia kisha lënë gati. Deri në mëngjes nuk dinim asgjë. Pastaj na thanë se vajza ishte mbytur. Plaga nuk mbyllet kurrë. Na mbeti jeta përgjysmë”
Në aktivitetin përkujtimor si çdo vit, ishin të pranishëm familjarë të viktimave, të cilët humbën jetën në ujrat e Liqenit të Prespës së Madhe, pasi varka me të cilën udhëtonin u përmbys gjatë një ekskursioni mësimor.
Në fakt, drejtoria arsimore ndryshoi destinacionin, pasi presidenti I asaj kohe, Sali Berisha kishte takim elektoral në Prespë.
“I dërguam në shkollë për ekskursion mësimor, jo për të na i kthyer në arkivol. Këto 30 vite kanë qenë vetëm dhimbje. Kemi kërkuar ndihmë e drejtësi në institucione, por dyert na janë mbyllur. Jemi 14 nëna që jetojmë me të njëjtën plagë. Ekskursioni ishte planifikuar në Voskopojë, por sipas asaj që na është thënë, për shkak të një takimi elektoral të Sali Berishës në Prespë, itinerari u ndryshua dhe fëmijët u dërguan atje. Ata mbaruan takimin, ndërsa ne morëm lajmin se fëmijët tanë kishin humbur jetën. As nuk na i sollën menjëherë, por na i lanë në liqen”
Në bankat e shkollës ishin vendosur fotografitë e të rinjve, lule, diploma dhe kujtime që mbajnë gjallë emrat e atyre që prej tre dekadash njihen si “14 engjëjt”.
Nxënësit kishin përgatitur një program të veçantë artistik me poezi, ese dhe rrëfime kushtuar ngjarjes së rëndë të 30 viteve më parë.
Ceremonia u mbyll me vendosjen e luleve dhe një minutë heshtje në kujtim të 14 jetëve të humbura tragjikisht, një ngjarje që vijon të mbetet ndër më të dhimbshmet në kujtesën e Pogradecit dhe gjithë vendit.
