
Situata në dhomën e zhveshjes së Real Madridit duket se ka dalë jashtë kontrollit vetëm pak ditë para përballjes së madhe ndaj Barcelonës. Mediat spanjolle raportojnë për një konflikt serioz mes Fede Valverde dhe Aurelien Tchouameni, i cili ka përfunduar edhe me përleshje fizike.
Sipas raportimeve, tensionet kishin nisur që një ditë më parë, kur dy futbollistët u përfshinë në një debat të ashpër verbal gjatë stërvitjes. Burimet pranë klubit bëjnë të ditur se në atë moment kishte vetëm përplasje me fjalë dhe situata nuk kishte eskaluar fizikisht.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi në stërvitjen e së enjtes. Thuhet se Tchouameni tentoi të qetësonte situatën duke i zgjatur dorën Valverdes në shenjë pajtimi, por uruguaiani refuzoi t’ia shtrëngonte dorën. Ky moment krijoi një atmosferë shumë të tensionuar gjatë gjithë seancës stërvitore, ndërsa marrëdhënia mes dy lojtarëve u përkeqësua edhe më shumë.
Në fund të stërvitjes situata shpërtheu plotësisht. Sipas burimeve nga Spanja, Valverde dhe Tchouameni u përfshinë në një përleshje fizike, ku mesfushori uruguaian pësoi lëndime që kërkuan qepje dhe trajtim mjekësor. Raportet thonë se disa anëtarë të skuadrës janë detyruar të ndërhyjnë për të ndalur konfliktin.
Ky incident vetëm sa shton krizën brenda klubit madrilen, pasi raportime të tjera flasin edhe për përçarje mes disa lojtarëve dhe trajnerit Alvaro Arbeloa.
The post Dalin detaje se si ndodhi përleshja fizike mes Valverdes dhe Tchouamenit appeared first on Gazeta Express.
