E premte, 08 Maj 2026
Lajme

12 të vrarë nga bombardimet në Liban

A 83 720x400

Ministria e Shëndetësisë tha se sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 12 persona në Libanin jugor, ndërsa ushtria izraelite reagoi duke sqaruar se po vazhdonte operacionet e saj kundër lëvizjes Hezbollah, të lidhur me Iranin pavarësisht një armëpushimi të supozuar.

Bombardimet ndodhën ndërsa një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së njoftoi mbajtjen e “bisedimeve midis Libanit dhe Izraelit” më 14 dhe 15 maj në Uashington, me qëllim hapjen e rrugës për negociata paqeje, informon media ndërkombëtare.

Dy takime në nivel ambasadorësh janë zhvilluar tashmë, më 14 prill në Departamentin e Shtetit dhe më 23 prill në Shtëpinë e Bardhë. Pas këtyre takimeve, Uashingtoni njoftoi një armëpushim, i cili hyri në fuqi më 17 prill, të paktën në teori.

Të dy shtetet teknikisht kanë mbetur në luftë që nga viti 1948; takimet e prillit ishin të parat në 33 vjet. Pavarësisht armëpushimit, armiqësitë midis ushtrisë izraelite dhe lëvizjes shiite Hezbollah vazhdojnë.

Dje, forcat ajrore izraelite IDF, shënjestruan disa zona në Libanin jugor, pasi dhanë urdhra për evakuimin urgjent të civilëve prej tyre.

Në njoftime të njëpasnjëshme dhe të ndara, Ministria e Shëndetësisë raportoi mbrëmë se 11 persona u vranë, përfshirë dy fëmijë, në bombardimet që goditën tre fshatra në Nabatia.

Një tjetër bombardim, në Marjayoun, rezultoi në vrasjen e një anëtari të ekuipazhit të ambulancës së Komitetit Islamik të Shëndetit, një shërbim ndihme emergjente i lidhur me Hezbollahun, dhe plagosjen e një të dyti, sipas të njëjtit burim.

Pardje, të mërkurën, 11 persona u vranë nga granatimet izraelite në pjesët jugore dhe lindore të vendit, sipas autoriteteve libaneze.

Po atë ditë, Izraeli shënjestroi sektorin jugor të Bejrutit, një bastion i Hezbollahut, për herë të parë në pothuajse një muaj. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi “eliminimin” e një oficeri të lartë në krahun ushtarak të lëvizjes shiite.

Sulmet ajrore dhe operacionet tokësore të Izraelit në Liban kanë vrarë mbi 2,700 njerëz, kanë plagosur mbi 8,200 të tjerë dhe kanë shndërruar mbi një milion banorë në persona të zhvendosur brenda vendit në pak më shumë se dy muaj.

InfoShqip