E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Arsene Wenger e paralajmëron Arsenalin: PSG – skuadër e kompletuar

Image

Ish-trajneir Arsene Wenger ka paralajmëruar Arsenalin se në finalen e Ligës së Kampionëve do të përballet me një PSG të “kompletuar”, pasi parisienët eliminuan Bayern Munichun në gjysmëfinale.

Legjenda e “Topçinjve”, duke folur për beIN Sports pas ndeshjes së kthimit në Munich që përfundoi 1-1, theksoi se PSG e meritoi kualifikimin falë paraqitjes së disiplinuar dhe të pjekur taktike.

“Pas një ndeshjeje të tillë, mund të thuash se Bayern nuk ishte në nivelin e pritur, ose mund të thuash se PSG zhvilloi një lojë shumë solide. Personalisht, do të shkoja me të dytën”.

Sipas tij, PSG u mbrojt në mënyrë fantastike, e mbajti presionin gjatë gjithë takimit dhe nuk i dha Bayernit asnjë shans apo shpresë reale për rikthim.

Image

“Në përgjithësi, do të vija në pah cilësinë e PSG-së, që janë bërë një skuadër vërtet e kompletuar, me kohezion të madh”.

Wenger veçoi edhe një tjetër armë të rrezikshme të ekipit parisien: efikasitetin në fazën përfundimtare.

“Ata kanë edhe një cilësi të jashtëzakonshme: çdo sulmues i kësaj skuadre, në situata një kundër një, përfundon me goditje në portë dhe është e pandalshme. Ata sigurohen që portieri të detyrohet të bëjë pritje – dhe kjo është një cilësi e frikshme”.

PSG vjen si kampione në fuqi e Evropës dhe konsiderohet sërish favorit për trofeun, ndërsa Arsenali shkon në finale me besimin se mund ta mbyllë sezonin historik—sidomos nëse në javët e fundit i ka dhënë fund pritjes 22-vjeçare për titullin në Ligën Premier./Telegrafi/

InfoShqip