
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ditën e sotme ka zhvilluar një takim me operatorë të biznesit ushqimor, ku theksoi se siguria ushqimore mbetet një prioritet kombëtar dhe një nga shtyllat kryesore në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, Rama u ndal veçanërisht te sfidat e sektorit të qumështit, duke nënvizuar se ai nuk do të mund t’i mbijetonte kërkesave të standardeve evropiane në gjendjen aktuale. Sipas tij, zinxhiri i prodhimit dhe përpunimit paraqitet i paplotë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të garantuar cilësi dhe siguri për konsumatorin.
Ai paralajmëroi se koha në dispozicion është e mjaftueshme, por rreziku qëndron te neglizhenca dhe mentaliteti i shtyrjes së reformave.
Rama sqaroi se roli i shtetit nuk do të jetë ndëshkues, por mbështetës për biznesin. Kontrollet, sipas tij, do të shërbejnë si mekanizëm ndihmues për të orientuar operatorët drejt përmbushjes së standardeve, duke ofruar fillimisht informacion të plotë dhe më pas verifikim të zbatimit në terren.
Rama: Sektori i qumështit është një sektor që nuk do t’i mbijetonte dot kërkesës së standardeve nëse do të ishim pjesë e BE-së. Zinxhiri është i mangët, ne duhet të plotësojmë të gjithë zinxhirin, këtu vijmë te nevoja për standarde. Unë nuk i trembem kohës që kemi në dispozicion, është e mjaftueshme, i trembem vetëm neglizhencës alla shqiptarçe që “hajd se ka kohë”, “hajd se do t’ia gjejmë ne rrugën edhe BE-së se si t’ia rrëshaqim topin nëpër shalë”. Nuk ndodh kjo, prandaj duhet filluar që sot me një plan gradual. Natyrisht që vjen pjesa e shtetit sepse nuk është diçka që duhet ta bëni ju dhe ne thjesht do çojmë kontrolle, kontrollet janë të vlefshme për t’iu ndihmuar ju.
Nuk do jenë misione ndëshkimi, por një mision kombëtar për një nga hallkat e ekonomisë sonë që të gjithë njerëzit që janë në këtë hallkë të dobët të marrin fillimishjt informacion të plotë se ku ndodhetn. Kontrollet do të lënë porosi për t’u zbatuar dhe më pas do të rikthehen për të parë zbatimin. Ne duhet të krijojmë sistemin e qëndrueshëm të kontrollit. Kapacitetet tona laboratorike do të duhet të forcohen në shërbim të sipërmarrjes, për të qenë më pranë dhe më të mirëorganizuar në territor.
Pikat e kontrollit kufitar janë një tjetër pikë e dobët të cilën do ta adresojmë për të lehtësuar dhe për të zvhdërvjelltësuar shtetin në kryerjen e detyrës pa u bërë pengesë në kufijtë e vendit. Kjo nuk është një sfidë e cila vjen si rruge në qiell të pastër, apo një direktivë e cila vjen nga Moska për Shqipërinë komuniste, me imponim. Kjo është një sfidë që vjen nga nevoja e brendshme e popullit shqiptar për t’u bërë më në fund pjesë, me të drejta të barabarta e familjes së popujve të Evropës.
Në përmbyllje, kryeministri theksoi se përmbushja e standardeve nuk është një imponim i jashtëm, por një domosdoshmëri që buron nga vetë nevoja e Shqipërisë për të garantuar produkte të sigurta për qytetarët dhe për t’u bërë pjesë e barabartë e familjes evropiane.
