Atmosferë, ritëm, humor dhe një refren që të ngec menjëherë në mendje. Kjo është formula me të cilën Alket Zaimi po synon të “pushtojë” verën me projektin e tij më të ri muzikor, “Nga ta kemi ty moj xhane”.
I ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, këngëtari tregoi se kënga ka lindur krejt natyrshëm nga atmosfera e ahengjeve, dasmave dhe gëzimeve familjare që shqiptarët i jetojnë me shumë emocion.
“Doja të sillja një këngë me energji, humor dhe ritëm. Një këngë që njerëzit ta këndojnë menjëherë sapo ta dëgjojnë”, shprehet Alketi. Sipas tij, vetë titulli ishte ai që e bindi se projekti kishte potencial të madh.
“Është një shprehje që e dëgjojmë shpesh në jetën e përditshme dhe ka shumë ngrohtësi popullore. Sapo e dëgjova mendova se publiku do ta ndiente afër vetes”, thotë ai. Këngëtari beson se projekti i ri do të bëhet pjesë e çdo feste këtë verë, sidomos në dasma dhe ahengje familjare.
“Kjo këngë ka spontanitet, frymë popullore dhe krijon atmosferë. Besoj se njerëzit kanë nevojë për muzikë që t’u japë energji pozitive dhe t’i largojë sadopak nga stresi i përditshëm”, rrëfen Alketi.
Puna për realizimin e projektit nuk ka qenë e lehtë. Ai tregon se janë dashur javë të tëra punë për ta sjellë këngën dhe videoklipin në versionin që publiku po sheh sot.
“I kemi kushtuar rëndësi çdo detaji, si në muzikë ashtu edhe në klip. Donim që çdo gjë të vinte sa më bukur dhe sa më e ndjerë tek publiku”, shprehet këngëtari. Dhe duket se reagimet e para i kanë tejkaluar pritshmëritë.
“Kam marrë shumë mesazhe pozitive dhe kjo më lumturon. Kur publiku këndon këngën tënde, është kënaqësia më e madhe për një artist”, thotë ai. Me humor, energji dhe një refren që premton të dëgjohet kudo këtë sezon, Alket Zaimi duket se ka hyrë fuqishëm në garën për hitin e verës.
