E premte, 15 Maj 2026
Lajme

Një Asteroid do të kalojë shumë pranë Tokës

Asteroid

Një asteroid me përmasa të mjaftueshme për të shkaktuar shkatërrime në një qytet pritet të kalojë shumë pranë Tokës javën e ardhshme, kanë bërë të ditur shkencëtarët.

Sipas astronomëve, trupi qiellor, i quajtur 2026 JH2, mund të jetë deri në katër herë më i madh se një autobus londinez dhe do t’i afrohet planetit tonë “sa më shumë që mundet pa e goditur”.

Asteroidi pritet të kalojë pranë Tokës mbrëmjen e së hënës, në një distancë rreth 90 mijë kilometra. Kjo konsiderohet një afrim jashtëzakonisht i madh në terma astronomikë, pasi është afërsisht sa një e katërta e distancës mes Tokës dhe Hënës.

Asteroid 1

Edhe pse ka përmasa që, në rast përplasjeje, mund të shkaktonin dëme të mëdha, asteroidi u identifikua nga observatorët vetëm pak ditë më parë. Kjo ka rikthyer shqetësimet për aftësinë e zbulimit të hershëm të objekteve potencialisht të rrezikshme pranë Tokës.

Megjithatë, simulimet tregojnë se nuk ka asnjë mundësi përplasjeje me Tokën të paktën për 100 vitet e ardhshme.

Vlerësimet aktuale sugjerojnë se asteroidi ka një diametër nga 16 deri në 35 metra dhe do të lëvizë pranë Tokës me një shpejtësi relative prej rreth 5.17 milje në sekondë.

“Është lloji i objektit që do të mund ta shkatërronte një qytet mjaft lehtë, nëse do të godiste”, tha Mark Norris nga Universiteti i Lancashire për “New Scientist”.

Asteroid 2

Madhësia e asteroidit mbetet një vlerësim, pasi bazohet në sasinë e dritës që reflekton sipërfaqja e tij. Kjo do të thotë se përmasat nuk mund të përcaktohen me saktësi të plotë. Nëse asteroidi përbëhet nga material i errët ose që reflekton pak dritë, ai mund të jetë më pranë kufirit të sipërm të vlerësimeve, ose edhe më i madh.

Edhe në skenarin më të ulët të përmasave të tij, objekti mbart potencial të madh shkatërrues. Ekspertët thonë se, në rast përplasjeje, 2026 JH2 mund të shkaktonte një ngjarje të ngjashme me meteorin e Chelyabinsk-ut.

Në vitin 2013, një meteor rreth 18 metra i gjerë shpërtheu mbi qytetin Chelyabinsk në Rusi, pranë kufirit me Kazakistanin. Shpërthimi ishte rreth 30 herë më i fuqishëm se bomba atomike e hedhur në Hiroshima dhe krijoi një valë goditëse që përshkoi globin dy herë.

Nën zonën e shpërthimit, rreth 45 kilometra mbi tokë, nxehtësia ishte aq e fortë sa disa persona pësuan djegie dhe dëmtime në sy. Rreth 1,500 njerëz u plagosën dhe më shumë se 3,600 banesa u dëmtuan, ndonëse vetëm një pjesë shumë e vogël e trupit qiellor arriti në sipërfaqe.

Me përmasa që mund të arrijnë deri në 35 metra, 2026 JH2 mund të ishte edhe më shkatërrues, duke hyrë në kategorinë e asteroidëve që shpesh quhen “vrasës qytetesh”.

Asteroid 3

Megjithatë, pavarësisht afrimit ekstrem, astronomët theksojnë se asteroidi nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën.

Falë rrjetit të teleskopëve të mbrojtjes planetare, shkencëtarët mund të bëjnë përllogaritje shumë të sakta të orbitave të asteroidëve. Edhe pse 2026 JH2 do të jetë shumë i zbehtë për t’u parë me sy të lirë, ai mund të jetë i dukshëm përmes teleskopëve amatorë në zona me qiell të errët.

Aktualisht, asteroidi ndodhet rreth 3 milionë kilometra larg Tokës, në yjësinë Ursa Major.

Më herët gjatë këtij viti, drejtuesja e mbrojtjes planetare në NASA paralajmëroi se ende ekzistojnë dhjetëra mijëra asteroidë të përmasave të rrezikshme që nuk janë zbuluar. Dr. Kelly Fast, e cila drejton përpjekjet për gjetjen dhe gjurmimin e objekteve pranë Tokës, tha se shkencëtarët janë ende në kërkim të rreth 15 mijë trupave qiellorë të mesëm që mund të përbëjnë kërcënim.

Sipas saj, një përplasje nga një objekt i tillë, me diametër të paktën 140 metra, nuk do ta shkatërronte planetin, por mund të shkaktonte dëme të mëdha rajonale.

Megjithatë, Toka ende nuk ka një sistem të gatshëm për të devijuar një asteroid nëse zbulohet papritur se është në kurs përplasjeje.

Në vitin 2022, NASA dërgoi qëllimisht anijen kozmike DART drejt hënës së vogël Dimorphos, me qëllim ndryshimin e orbitës së saj përmes përplasjes. Misioni u cilësua si sukses dhe tregoi se një asteroid mund të devijohet nga trajektorja e tij.

Por Dr. Nancy Chabot, shkencëtare planetare në Universitetin Johns Hopkins dhe një nga drejtueset e misionit, paralajmëroi se aktualisht nuk ka një tjetër anije të ngjashme me DART-in, të gatshme për t’u nisur nëse do të shfaqej një kërcënim real.

“DART ishte një demonstrim i rëndësishëm”, tha ajo. “Por nuk kemi një tjetër të gatshme për ta përdorur në rast se do të na duhej për një kërcënim konkret.” /GazetaExpress/

The post Një Asteroid do të kalojë shumë pranë Tokës appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip