
Një çift i martuar në Gjermani u dënua me 5.5 vjet burg secili për vjedhjen e afërsisht 1.9 milionë eurove nga matësat e parkimit.
Gjykata e qytetit të Kemptenit urdhëroi gjithashtu që burri, një ish-punonjës 40-vjeçar dhe gruaja e tij 39-vjeçare, që të kompensojnë qytetin për shumën totale të dëmit që shkaktuan.
Kryetari i gjykatës Christoph Schëibacher njoftoi se pasuritë e çiftit do të sekuestrohen gjatë 30 viteve të ardhshme me qëllim mbledhjen e shumës së lartpërmendur.
40-vjeçari kishte mbledhur paratë nga matësat e parkimit të Bashkisë, të cilat i kishte përvetësuar për më shumë se 10 vjet. Gruaja e tij e ndihmoi duke i depozituar paratë në llogaritë bankare. Gjykata e përshkroi atë si “eksperten e logjistikës” që fshihej pas krimit.
Të dy pranuan akuzat dhe u dënuan për më shumë se 300 raste që datojnë që nga viti 2020, duke i shkaktuar qytetit dëme prej 1.34 milionë eurosh.
Ndërkohë, më shumë se 500 vjedhje të dyshuara që datojnë që nga viti 2015 janë parashkruar dhe nuk mund të ndiqen penalisht. Megjithatë, autoritetet po kërkojnë gjithashtu të sekuestrojnë të ardhurat nga këto raste, të cilat arrijnë në 584,000 euro.
Çifti jetonte një jetë luksoze, duke blerë kuaj, makina dhe rroba të shtrenjta me paratë e vjedhura, siç pranoi 40-vjeçari në gjykatë.
