
TIRANË – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka mbajtur një deklaratë të gjatë në Gjykatën Administrative, ku ka kundërshtuar procesin gjyqësor ndaj tij dhe ka ngritur akuza për kufizim të të drejtave të tij themelore dhe për një “përmbysje të raportit mes qytetarit dhe pushtetit penal”.
Veliaj tha se prej më shumë se 15 muajsh po përballet me një realitet që, sipas tij, është i paprecedentë në një shtet demokratik, ku garancitë kushtetuese janë bërë gjithnjë e më të brishta përballë autoritetit të pushtetit penal.
Ai deklaroi se ndaj tij është ushtruar një “sulm frontal politik, mediatik dhe juridik” që, sipas tij, ka çuar deri në heqjen e lirisë personale dhe pamundësinë për të ushtruar mandatin e fituar në zgjedhje nga qytetarët e Tiranës.
Veliaj: Kam më shumë se pesëmbëdhjetë muaj që jetoj në një realitet që, deri pak kohë më parë, do ta konsideroja të paimagjinueshëm në një republikë demokratike. Një realitet ku raporti midis qytetarit dhe pushtetit penal është përmbysur gradualisht, deri në pikën që vetë garancitë kushtetuese duken çdo ditë e më të brishta përballë forcës së pakontrolluar të këtij autoriteti shtetëror. Është një situatë me një ngarkesë të tillë paradoksale, sa mund të përshkruhet më saktë vetëm nga një penë si e Dostojevskit dhe jo nga një gjuhë e zakonshme si e imja. Prej më shumë se dy vitesh, menjëherë pas zgjedhjes sime për herë të tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jam vënë përballë një sulmi frontal, disproporcional dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik; një përplasje që, në përfundim të saj, arriti deri në heqjen e lirisë sime personale dhe në pamundësimin e ushtrimit të mandatit që ma besuan 160 mijë qytetarë të Tiranës.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se i është kontrolluar çdo aspekt i jetës personale dhe familjare, duke e cilësuar situatën si një formë të zgjeruar hetimi penal “jashtë çdo standardi proporcionaliteti”.
Veliaj: Është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime. Është hetuar çdo dimension personal dhe familjar i imi. Mbi mua dhe familjen time është ushtruar, në thelb, një formë e plotë “vetingu” jo administrativ por penal, 2 jashtë çdo standardi normal proporcionaliteti. E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, unë kam bashkëpunuar me drejtësinë në çdo moment. Kam kontribuar për të lehtësuar punën e saj. Nuk kam pasur asnjë hezitim, asnjë drojë dhe asnjë mëdyshje për t’u përballur me procesin dhe me të vërtetën as dje, as sot.
Ai akuzoi gjithashtu se procesi aktual synon, sipas tij, të kufizojë të drejtën e mbrojtjes dhe të mos lejojë shqyrtimin e plotë të ligjshmërisë së autoritetit që ka ushtruar hetimin ndaj tij.
Veliaj: Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi i vërtetë i kësaj çështjeje. Sepse për më shumë se dy vite u përdor çdo mekanizëm i mundshëm politik, mediatik dhe juridik për të më sjellë përpara drejtësisë, në mënyrën më denigruese të mundshme, për një njeri që akoma mban besimin e një qyteti të tërë për drejtimin e tij. U përdorën hetime, përgjime, kontrolle, ekspozim publik dhe çdo formë tjetër e ushtrimit të pushtetit penal, me argumentin se unë duhej të vihesha përballë drejtësisë. Sot që unë ndodhem përpara drejtësisë, me vullnetin e plotë për t’u përballur me të, paradoksi është se i njëjti mekanizëm duket se nuk do më një përballje reale me drejtësinë, por një përballje të kufizuar, të kontrolluar, të shpejt dhe proceduralisht të cunguar. Sepse nuk kërkohet vetëm kufizimi i lirisë sime fizike. Kërkohet edhe kufizimi i mundësisë sime për t’u mbrojtur efektivisht e përballur me dinjitet.
Duke iu drejtuar gjykatës, Veliaj ngriti pyetjen nëse prokurori Ols Dado ka pasur, sipas tij, legjitimitetin kushtetues për të ushtruar pushtet penal ndaj tij, duke e cilësuar këtë si thelbin e çështjes.
Ai tha se padia e tij nuk ka vetëm karakter personal, por lidhet me parimin e shtetit të së drejtës dhe kontrollin e ligjshmërisë së pushtetit shtetëror.
Veliaj: Unë kam bërë një padi përpara Jush. Një padi që nuk është asgjë tjetër veçse ushtrimi i një të drejte që njerëzimi e ka njohur që në lindjen e qytetërimit; nga kodet e Hamurabit deri te Kanuni i Lekë Dukagjinit: e drejta e njeriut për t’iu drejtuar një gjykimi të paanshëm dhe për të kërkuar drejtësi. As këtë nuk duan të ma lejojnë. Si i padituri Dado, ashtu edhe vetë KLP autoriteti që duhej të kishte garantuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtij funksioni publik, sot pretendojnë se unë nuk legjitimohem t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar kontrollin e këtij autoriteti. Sepse sipas kësaj logjike, qytetari mund të hetohet, të survejohet, të arrestohet, të izolohet dhe të kontrollohet në çdo aspekt të jetës së tij personale, familjare dhe publike; një kryetari bashkie 5 mund t’i ndërpritet ushtrimi i mandatit të dhënë nga qytetarët; qytetarëve mund tu merret nga zyra kryetari i zgjedhur prej tyre, por në momentin që ata i drejtohen gjykatës për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet, atëherë ai nuk konsiderohet më subjekt i mbrojtjes së ligjit, por rrezik për drejtësinë vetë.
Në fjalën e tij, Veliaj theksoi se qytetari duhet të ketë të drejtë t’i drejtohet gjykatës për verifikimin e çdo autoriteti që ushtron pushtet mbi të, duke paralajmëruar se në të kundërt, sipas tij, rrezikohet vetë parimi i republikës dhe sundimit të ligjit.
Veliaj: Sepse në fund fare, pyetja bëhet akoma më e thjeshtë sesa gjithë ky proceduralizëm përpiqet ta paraqesë: Çfarë duhet të ndodhë më shumë mbi një qytetar dhe mbi një institucion demokratik, që ata të kenë të drejtën t’i kërkojnë gjykatës verifikimin e ligjshmërisë së pushtetit që është ushtruar mbi ta. Apo mos duhet që qytetari të heshtë fare? A duhet të pranojë çdo ndërhyrje mbi jetën, lirinë dhe dinjitetin e tij, pa pasur të drejtën t’i kërkojë gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet mbi të? Sepse nëse kjo është logjika që pranohet, atëherë ne nuk kemi më një shtet të së drejtës. Atëherë kemi një pushtet penal që kërkon të qëndrojë jashtë kontrollit. Ky pushtet i pakontrollueshëm nuk është drejtësi. Ai është arbitraritet.
