Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinjtë në Elbasan, fitues të programit të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantë për vitin 2026, me projekte premtuese në fushën e teknologjisë.
Aktualisht në vendin tonë ka arritur në 3 mijë e 300 numri i kompanive të regjistruara, me mbi 21 mijë specialistë që punojnë në këtë sektor, ndërkohë që paralelisht është rritur me 15% edhe numri i studentëve të regjistruar në degët që kanë të bëjnë me teknologjinë digjitale.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se teknologjia sot i ka dhënë mundësinë njeriut të realizojë të paimagjinueshmen.
“Kënaqësi të ishim këtu dhe të shihnim se çfarë keni bërë dhe ky takim vlen që edhe të tjetër të shohin se çfarë bëjmë së bashku. Duke besuar tek forca mbinatyrale e teknologjisë sot e cila i jep mundësinë njeriut të realizojë të paimagjinueshmen. Ne sot mund ta themi lirisht atë që deri jo shumë kohë më parë ishte për të qeshur, se cilido apo cilado ndër më të rinjtë në Shqipëri mund të punojnë në çdo vend të botës pa lëvizur nga shtëpia e tyre, mjafton të kenë një kompjuter dhe të jenë të lidhur me internetit dhe të paguhen shumë herë më mirë”, u shpreh ai.
