E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Të premten në ditëlindjen e 26-të, Gjesti publikon albumin e ri me DJ Gimbon

Image

Në ditëlindjen e tij të 26-të, Gjesti ka vendosur t’i bëjë vetes dhe publikut një dhuratë të veçantë – një rikthim të fuqishëm në muzikë me një mini-album të realizuar në bashkëpunim me DJ Gimbo.

Projekti përfshin pesë këngë të reja: “Fuqishëm”, “Meme”, “Harro”, “Parfum” dhe “Zero”, ndërsa secila prej tyre do të vijë e kompletuar edhe me videoklip.

Pas një pauze disamujore larg skenës dhe muzikës, artisti nga Peja po rikthehet më i motivuar se kurrë.

Image Foto: TikTok

Periudha e mungesës së tij lidhej me një nga momentet më të vështira në jetën personale, humbjen tragjike të vëllait të tij, Eldionit, i cili ndërroi jetë në shtator të vitit 2025 pas një aksidenti me motoçikletë.

Kjo ngjarje la gjurmë të mëdha te këngëtari, i cili për një kohë u largua nga aktiviteti artistik.

Rikthimi i parë erdhi në fund të janarit të këtij viti me projektin emocional “Memories”, një këngë dedikuar vëllait të ndjerë, e cila u prit me shumë emocion nga publiku dhe fansat e tij.

Tani, Gjesti duket se po hap një kapitull të ri në karrierë, duke sjellë një projekt më energjik, modern dhe veror.

Titujt e këngëve tashmë kanë zgjuar interesim të madh në rrjetet sociale, ndërsa fansat mezi po presin publikimin e plotë të projektit.

Përveç muzikës së re, artisti ka paralajmëruar edhe rikthimin në skenë me koncerte dhe performanca, duke lënë të kuptohet se sezona do të jetë një nga më intensivët në karrierën e tij. /Telegrafi/

InfoShqip